TEATRI I QYTETIT TË PRISHTINËS DODONAHistorik i shkurtër

Teatri “Dodona” është themeluar më 12 nëntor 1986, me vendim të Bashkësisë Punuese të Kuvendit të Komunës së Prishtinës.

Ky teatër filloi punën më 16 maj 1987, me premierën e parë “Pylli është i të gjithëve”. Po këtë vit u propozua që teatri të emërtohej: Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave “Dodona”.

Kthesën e zhvillimit teatri Dodona e morri pas viteve te 90-ta kur filloi edhe shfaqje dhe premiera edhe për të rritur, Skena e Mbrëmjes .Qe nga kjo kohe e deri më sot teatri i kukullave ka shfaqur mbi 35 premiera për fëmije dhe mbi 70 premiera për të rritur të cilat u mirëpriten nga shikuesit.

Përkundër masave të dhunshme të regjimit serb në viti 1994, teatri vazhdoi punën pa ndërprerë duke u bërë ky teatër bastion i kulturës në gjuhën shqipe. Nga ajo kohë deri në vitin 1999 teatri ka realizuar më shumë se 400 shfaqje të ndryshme, në të dy skenat.

Teatri “Dodona” është pjesëmarrës i shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Shfaqjet e tij ishin pjesë e disa festivale anë e mbanë botës, ku u arritën edhe suksese të konsiderueshme. Vlen të përmendet edhe pjesëmarrja ne Festivalin ndërkombëtar ne Manastir të Maqedonisë, Festivali Evropian i Teatrove të Kukullave në Pogradec, Festivali i Teatrove Shqiptare në Dibër, Festivali i Kajros, Festivali i Luganos, Ditët e Kulturës Shqiptare në Paris, Ditët e Teatrit të Kukullave në Mistellbah të Austrisë etj.

Teatri Dodona është Teatër i Qytetit të Prishtinës dhe është institucion kulturor vartës i Komunës së Prishtinës.